Transmetuar më 18-04-2024, 09:35

Durrës, vijon intensivisht puna për gjetjen e 3-vjeçarit të zhdukur prej disa ditësh. Arrestohet gjyshi dhe kunati i tij, në kërkim gjyshja me vëllanë tjetër

Durrës, 18 Prill 2024 /noa.al-  Ile Gjuni, është e dëshpëruar për të gjetur djalin e saj motak, vetëm 3 vjeç. Nëna 23 vjeçare po bën apel të ethshëm që të gjendet biri i saj.

Por ku ndodhet 3-vjeçari nga Durrësi që iu mor mamasë? Policia njoftoi pak minuta më parë se ka shpallur në kërkim gjyshen dhe vëllanë e saj.

Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Zyrtarisht, policia tha sot se në vijim të punës që po kryhet, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më 13 prill, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.

Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve Rexhep Gjuni, 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has.

Më tej, janë shpallur në kërkim Barie Gjuni, 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.

Flet mamaja e vogëlushit

Nëna e fëmijës 3-vjeçar, të deklaruar të humbur në Durrës, ka akuzuar vjehrrin e saj dhe gjyshin e fëmijës se ka gisht në zhdukjen e fëmijës, pasi nuk pranon t’ia japë.

U bënë ditë, tha ajo për mediat, që ma kanë marrë, që të shtunën në mëngjes edhe nuk ma kanë sjellë.

Bashkëshorti ka 1 vit e dy muaj që ka vdekur, edhe ato duan të marrin çunin.

Që në fillim nuk ma jepnin çunin. Kam ikur me zor. Ata nuk pranonin, thonë që të rrijnë me ne. Vjehrri dhe vjehrra ua kam lënë ta mbajnë fëmijën çdo fundjavë.

Nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 3 pasdite e mbanin. Atë ditë e kam marrë në mëngjes dhe nuk ma kanë sjellë. Pastaj kur shkoi ora 3 i mora në telefon, i pyeta ku jeni pse nuk keni ardhur, thonë nuk ta sjellim më.

Shkova direkt në polici, shkova fillimisht te shtëpia e tij, nuk ishte dhe shkova dhe denoncova.

Nuk e di ku është është gjallë apo jo, a e kanë nxjerrë jashtë shteti.

Marrëdhënia me vjehrrin me vjehrrën nuk ka qenë mirë, që kur ka vdekur burri. Kam ikur te shtëpia e babit në Kënetë në Durrës. I kemi afër me shtëpija vjehrrin e vjehrrën.

Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd