Transmetuar më 18-04-2024, 10:49

Stefano Pioli përpiqet të përmirësojë mjedisin kuqezi përpara ndeshjes së dytë çerekfinale të "Europa League" kundër Romës. “Duhet të kemi vlerësim maksimal dhe të besojmë në veten tonë në mënyrën më absolute.

I kemi aftësitë për të luajtur një ndeshje të shkëlqyer, do të përpiqemi të fitojmë, – ishin fjalët e trajnerit të kuqezinjve për "Milan TV". – Ndeshja e parë nuk vlen më, nuk ka kuptim të mendojmë për të. Në çdo rast do të jetë një ndeshje krejtësisht ndryshe, na duhet shumë cilësi dhe energji.

Unë kam besim te lojtarët e mi, mund t’i godasim verdhekuqtë. Jemi mirë. Çdo sezon dhe çdo periudhë brenda një sezoni ka një histori të ndryshme, çdo zgjedhje bëhet për të përmirësuar ekipin dhe fituar. Sonte do të jetë një rast i mrekullueshëm, kemi një qëllim të vetëm: të arrijmë në gjysmëfinale”.

Më pas ishte e pashmangshme të mos flitej për Rafa Leaon, një nga mungesat e mëdha në ndeshjen e "San Siros": "Ne kurrë nuk kemi fituar vetëm falë tij, as nuk kemi humbur ndonjëherë vetëm për shkak të tij. Luajmë si ekip dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën së bashku. Sonte të gjithë do të duhet të luajmë në maksimumin tonë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd