Transmetuar më 18-04-2024, 12:08

Jude Bellingham nuk ishte vendimtar këtë herë, por sërish mund ta festojë kualifikimin e Real Madridit, i cili mundi Manchester City me penallti dhe arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Kampioni anglez foli për “TNT Sports”:

"Është një lehtësim, sepse kemi dhënë gjithçka që kishim në një fushë shumë të vështirë. Do të ishte e tmerrshme nëse ata do të na e kishin hequr papritur kualifikimin. Duhej të punonim shumë për ta mposhtur Manchester City, triumfi nga pika e bardhë ishte një shpërblim i madh.

Është vërtet e pabesueshme, momente të tilla janë magjike. Suksesi u arrit vetëm falë mentalitetit dhe vëmendjes ndaj detajeve, sikurse te penalltitë. Djemtë ruajtën qetësinë, është diçka magjike. Ishte e mrekullueshme; vëllai im ishte këtu, më pa për herë të parë nga stadiumi duke luajtur me Real Madridin. Jam shumë krenar edhe për këtë.

Nuk mund ta imagjinoja kurrë se si do të fillonte historia ime me Real Madridin. Jam krenar që jam këtu dhe shpresoj se mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Forca jonë më e madhe është se trajneri Ancelotti gjen mënyra për të na dhënë liri në fushë.

Ne luajmë jashtë ‘prangave’, mjaft të qetë. E pashë disi të mërzitur trajnerin Ancelotti para ndeshjes dhe e pyeta nëse ishte i lodhur. Ai m’u përgjigj: Shko në fushë dhe më emociono”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd