Transmetuar më 19-04-2024, 14:05

Julian Nagelsmann iu ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij, duke nënshkruar një marrëveshje të re me kombëtaren gjermane, e cila do të zgjasë deri në Kupën e Botës 2026. Ditët e fundit kishte pasur spekulime të shumta se ai mund të rikthehej te Bayern Munich, një vit pasi u zëvendësua nga Thomas Tuchel.

Skuadrat e Premier League si Liverpool dhe Manchester United u tha gjithashtu se ishin të interesuar për të. Nëpërmjet një deklarate, Nagelsmann tha: “Ky është një vendim zemre. Është një nder i madh të jesh në gjendje të stërvitësh kombëtaren dhe të punosh me lojtarët më të mirë në vend.

Me performanca të suksesshme dhe plot pasion kemi mundësinë të frymëzojmë një vend të tërë. Dy fitoret kundër Francës dhe Holandës në mars më prekën vërtet. Ne duam të luajmë së bashku një Kampionat Europian të suksesshëm në shtëpi dhe mezi po pres, së bashku me stafin tim teknik, ta shijojmë sfidën e Kupës së Botës”.

Bernd Beuendorf, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, pranoi se ishte një lëvizje e rëndësishme për ta “blinduar” Nagelsmann për shkak të interesimit nga skuadrat kryesore evropiane: “Është një sinjal i fortë për DFB-në dhe ekipin kombëtar që Julian Nagelsmann do të mbetet trajner përtej Europianit në shtëpi, sepse ai ishte në listën e shumë klubeve të mëdha nëpër Evropë.

Kombëtarja është për Julian Nagelsmann më shumë sesa thjesht një punë, është çështje e vërtetë e zemrës. Tani kemi sigurinë e planifikimit dhe të gjithë mund të fokusohen tërësisht te paraqitja sa më e suksesshme në Europian”.

Nagelsmann pati një fillim të lëkundur si trajner i Gjermanisë, pasi mbërriti në një kohë kur kombëtarja kishte fituar vetëm 4 nga 12 ndeshjet e mëparshme. Pasi mundi SHBA në ndeshjen e tij të parë, Gjermania barazoi me Meksikën dhe pësoi disfata ndaj Turqisë e Austrisë.

Megjithatë, në ndeshjet ndërkombëtare të marsit, Gjermania mundi dy “peshat e rënda” evropiane, Francën dhe Holandën, duke rritur optimizmin para Europianit vendas këtë verë.

Rudi Voller, drejtor i ekipit kombëtar gjerman tha: “Ne ishim absolutisht të bindur për Julian Nagelsmann përpara ndeshjeve të fundit të suksesshme ndërkombëtare. Fitorety ndaj Francës dhe Holandës kanë treguar edhe një herë se çfarë entuziazmi mund të ringjallë Julian dhe stafi i tij te Gjermania”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd