Transmetuar më 20-04-2024, 08:47

Ai luajti te Manchester United midis viteve 2015 dhe 2017. Bastian Schweinsteiger foli për ndikimin e tij në Angli dhe te "Djajtë e Kuq", të trajnuar në atë kohë nga José Mourinho, në një intervistë dhënë podcast-it "The Overlap", të organizuar nga Gary Neville:

"Kur mbërrita te Manchester United u stërvita me Zlatan Ibrahimovic në ditën e parë. Mendova se ai është fantastik, një lojtar i jashtëzakonshëm me të cilin mund të luaj dhe të stërvitem. Më pas, të nesërmen, kur mbërrita në ‘Carrington’ (qendra e trajnimit të Manchester United), menaxheri John Murtough ishte aty dhe më tha: Nuk të lejojnë në dhomën e zhveshjes.

E pyeta pse dhe ai më tha se kështu kishte urdhëruar trajneri. Padyshim që kjo nuk ishte aq e lehtë edhe për të. Kështu që shkova në një dhomë tjetër zhveshjeje dhe u zhvesha atje. Gjithashtu, i kërkova të më sillte pajisjet dhe këpucët e mia.

Më pas e pyeta se me kë do të stërvitesha dhe ai m’u përgjigj: Me rezervat… Dhe unë u stërvita me 16-vjeçarët, madje mendova se ishte një shaka. Pastaj pata një takim me Mourinhon pasdite dhe ai më shpjegoi se nuk më pa të lumtur te Manchester United, sepse kur u lëndova, shkova të vizitohesha te mjekët gjermanë. Kalova kohë në vendin tim, ishte diçka që e bëra për të përmirësuar gjendjen time fizike.

Kështu vazhdova të stërvitesha vetëm për tre muaj. Mourinho nuk më la kurrë të stërvitesha me ekipin e parë, as që e pashë. Më duhej të stërvitesha para ose pas seancës së ekipit të parë. Isha shumë i trishtuar, dhashë gjithçka për klubin, jo vetëm për Mourinhon”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd