Transmetuar më 19-04-2024, 20:33

Me tone të ashpra kreu i PL-së, Ilir Meta, këmbënguli në Partinë e Lirisë ka nepotizëm. Në fjalën e tij në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar tha se më 27 prill do të ekzekutojnë nepotizmin.

Ai u shpreh i bindur se në kryesinë e Partisë së Lirisë nuk do të ketë dy njerëz nga e njëjta familje. Sipas tij, do jetë vota që do të vendosë kush do të qëndrojë në kryesi, ai apo Kryemadhi.

Meta tha se problemi kryesor në PL nuk është Monika Kryemadhi, por janë disa persona që sipas tij kanë përdorur lidhjen mes saj dhe Metës për të mos marrë përgjegjësi.

“Më vijnë në zyrë e më thonë se kemi hallin e Monës, çfarë po i ndodh Monës? Mona është zemra jonë, është deputete, mund të jetë prapë deputete, nuk ka asnjë problem. Nuk është problem i Monës problem më i madh në parti. Ata nuk kanë hallin e Monës, po kuptojnë që në parti po fillon rregulli. Për të gjitha ata që kanë hallin e Monës, Mona është yll bote. Mbase mbas statutit mund të votohet për në Kryesi dhe unë me shumë kënaqësi do vijoj të shërbej në komisionin e bujqësisë, por kjo historia e Monës nuk është e Monës, por e atyre që kërkojnë që në këtë parti të ketë kaos, të ketë kakofoni, të mos ketë llogaridhënie, organizim, axhendë, afate, lista të qarta votuesish. Me sa duket u pëlqen të rrinë në opozitë.

Këtu nuk është problemi të rrimë në opozitë, por për të shpëtuar Shqipërinë nga një bandë që ka zënë për fyti dhe kërkon të përzërë këta të rinjtë që kanë mbetur.

Partia do të ketë demokraci maksimale që të flasë kushdo dhe të dëgjohet, ama kur vjen tek vendimet që merren me vendim në mënyrë demokratike, pastaj ka ekzekutim vendimesh”, tha Meta.

Duke e cilësuar nepotizmin një problem madhor, që ka përfshirë jo vetëm partinë e tij por edhe institucione shtetërore dhe SPAK-un, Meta foli për përpjekje për izolimin e tij.

“Njeriu që kujdesesh për imazhin tim për ta izoluar Ilir Metën për ta futur në kuadrate. Në 27 prill ekzekutojmë nepotizmin, jo njerëzit, ne ekzekutojmë fenomenin se nuk mund të jetë më biznes familjar dhe ne kemi shumë raste të nepotizmit. Ka mendim të mirë për SPAK-un kohët e fundit dhe reformën në drejtësi për ramaformën. Por kulmi i nepotizmit është në drejtësi. Në një prokurori 7 veta nga një familje. Japim sot shembullin se kështu do të jemi nesër në qeverisjen e vendit. Rrethimi i vogël i Ilir Metës mbaroi”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd