Transmetuar më 20-04-2024, 09:41

Partizani mban vendin e tretë për momentin, me 48 pikë, ndërsa Dinamo është e pesta, me 46 pikë. Dy skuadrat kryeqytetase i ndajnë vetëm dy pikë, ndaj përballja e sotme mes tyre bëhet edhe më e zjarrtë.

Pra, nëse “nëndetësja” fiton sot, atëherë parakalon të kuqtë në vendin e tretë, madje edhe Tiranën, që e luajti dje ndeshjen e saj, në kuadrin e javës së 32-të të Superiores. Të tilla “valenca” e bëjnë derbin e fazës së katërt më të zjarrtë se kurrë. Trajneri Dritan Mehmeti, në prag të sfidës me “demat e kuq”, bëri këtë prognozë:

“Vetë pozicioni në tabelën e renditjes, jo vetëm për “final four”, por edhe më poshtë, ka ngarkesë për ne si skuadër dhe të tjerat. Të gjithë kanë nevojë për pikë. Më komode është vetëm Egnatia. Këto 5 javë do të jenë mjaft të luftuara.

Në derbi nuk ka favoritë, e ka treguar hitoria dhe statistikat. Është i paparashikueshëm, ka emocione të veçanta, luan rol aspekti psikologjik, mënyra si lojtarët i menaxhojnë këto 90 minuta. Jemi në një pikë të veçantë të sezonit, ku ka nevojë për pikë.

Partizani ka ndryshuar shumë, sidomos për organikën, që e ka të pasur, me lojtarë cilësorë. Është i plotësuar në të gjithë repartet. I ka dhënë tonin futbollit shqiptar. Partizani ka elementë shumë të mirë, fakti që kam qenë pjesë e tij nuk është plus për ne. Partizani të imponon shumë respekt.

Kemi bërë një marrëveshje me presidentin që skuadra të jetë në Superiore. Kemi dhe një objektiv tjetër, që të evitojmë “play-out”-in dhe këtu kontrata ime është e përfunduar. Nëse arrijmë më tepër do të jetë plus për ne si staf dhe për presidentin, që e meriton, sepse ka investuar shumë.

Lojtarët e Partizanit dinë t’i menaxhojnë situatat, dinë të ngrihen, kur vijnë nga vështirësitë. Duhet të bëjmë maksimumin, sepse kemi arritur deri këtu me punë dhe sakrifica të mëdha. Do të japim më të mirën në fushën e Partizanit.

Fusha? Do të më pëlqente të luanim në “Arena Kombëtare”, sepse fusha e stadiumit të Partizanit është sintetike. Për të dyja skuadrat do të ishte më mirë, kam frikë se mund të na dëmtohen lojtarët. Është vendosur dhe jemi para një fakti të kryer. Do të bëjmë maksimumin, pa nxjerrë justifikime”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd