Transmetuar më 20-04-2024, 10:55

Informacione të mëtejshme mbërrijnë për të ardhmen e mundshme të Zinedine Zidane në Bundesligë, sërish nga faqet e "Mundo Deportivo". Trajneri francez është zgjedhja e parë e klubit bavarez për të zëvendësuar Thomas Tuchel, i cili nuk do të qëndrojë në "Allianz Arena" në fund të sezonit.

Negociatat, sipas gazetës katalanase, janë tashmë në fazën e tyre përfundimtare. Madje, "Mundo Deportivo" saktëson se burime të afërta me bisedimet mes dy palëve e konsiderojnë marrëveshjen ende të pa nënshkruar, por praktikisht të përfunduar. Shkohet edhe më tej, teksa thuhet se Zidane i ka kërkuar tashmë sekretariatit teknik të Bayernit një përforcim të madh, veçanërisht në repartin e mbrojtjes.

Xabi Alonso ishte favoriti i klubit bavarez për të drejtuar projektin e radhës teknik, por trajneri i ri dhe i suksesshëm bask do të qëndrojë te Bayer Leverkusen edhe për të paktën një vit tjetër, pas fitimit të titullit.

Me Alonson jashtë "skenës", lista e prioriteteve ishte ngushtuar tek Julian Nagelsmann, trajneri aktual i Gjermanisë, dhe Zinedine Zidane, emri i të cilit është lidhur disa herë me Bayernin vitet e fundit. Rinovimi i kontratës së Nagelsmann me "Mannschaft" deri në vitin 2026, i njoftuar të premten, i hapi rrugën ardhjes së "Zizou" në "Allianz Arena".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd