Transmetuar më 20-04-2024, 11:03

Joao Cancelo ka sulmuar “trollët”, që i uruan vdekjen e vajzës së tij të palindur, pas eliminimit të Barcelonës nga Liga e Kampionëve, prej PSG. Qendërmbrojtësi Ronald Araujo u përjashtua me karton të kuq pas 30 minutash lojë, ndërsa Cancelo shkaktoi penallti në pjesën e dytë, pasi kishte dështuar ta ndalonte Dembele (kundërshtarin e vet direkt) në golin e parë parizien dhe gjatë tërë inkursioneve të tij.

Edhe për shkak të këtyre “fiaskove”, PSG fitoi 4-1 në Katalonjë, çerekfinalen e kthimit, ose 6-4 në total. Portugezi është i huazuar te Barcelona nga Manchester City. Ai ka luajtur 35 herë këtë sezon, duke qenë në fushë në 9 nga 10 ndeshjet e Champions League nën drejtimin e Xavit.

Ka qenë një sezon zhgënjyes nën drejtimin e trajnerit në largim, me një hendek të madh ndaj liderëve të La Liga-s, Real Madrid, para “El Clasico” së kësaj fundjave. Megjithatë, kjo nuk e justifikon abuzimin ndaj lojtarëve, me Cancelo duke treguar disa nga mesazhet e ndyra që i kanë mbërritur:

"Njerëzit thonë të gjitha llojet e gjërave. Në Instagram kam marrë komente që i urojnë vdekjen vajzës sime, e cila nuk ka lindur ende. Nuk ma thonë dot në fytyrë, sepse do kishim probleme, por në komente shkruajnë çfarë të duan.

Ata janë ofendues për partneren time, vajzën time, fëmijën tonë të palindur ende. Është një botë mizore dhe ju duhet të dini se si të jetoni me të. Unë di si t’ia bëj, por thjesht nuk di çfarë të them më.

Të urosh vdekjen e një fëmije është vërtet serioze. Njerëzit nuk mendojnë për personin pas futbollistit që shohin në televizion. Edhe ne jemi njerëz. Edhe ne jemi të njëjtë si të gjithë. Le të më kritikojnë mua si lojtar, ashtu sikurse bëri Rio Ferdinand, por jo të më cënojnë si person”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd