Transmetuar më 20-04-2024, 12:26

Sergi Roberto i hedh ujë zjarrit… Kapiteni i Barcelonës, duke folur për "Movistar" përpara "El Clasico", u ndal te polemikat që përfshinë Ronald Araujo dhe Ilkay Gündogan pas eliminimit të Blaugranëve nga Liga e Kampionëve prej PSG:

"Unë mendoj se ishte më shumë bujë për mjedisin e jashtëm sesa problem brenda dhomës sonë të zhveshjes. Ne jemi shumë të bashkuar. Në fund të fundit, ajo që bëri Gundogan ishte thjesht shpjegimi i tij se çfarë ndodhi në ndeshje, por pa asnjë qëllim për të treguar dikë me gisht.

Të gjithë duan të fitojnë. Që kur Gündo ka mbërritur te Barça, e vetmja gjë që ka bërë në dhomën e zhveshjes ka qenë ta ndihmojë ekipin të përmirësohet. Asgjë tjetër nuk ka, asnjë problem, sepse skuadra është shumë e bashkuar këtë sezon, edhe nëse nuk ia dolëm të fitonim Superkupën apo Kupën e Mbretit.

Në Evropë dhamë një imazh të shkëlqyer, edhe pse u eliminuam ndaj PSG. Jemi shumë të bashkuar dhe kjo që ka ndodhur nuk do të ndryshojë asgjë".

Ditët e fundit në Spanjë është diskutuar shumë për kritikat në distancë mes Ilkay Gundogan dhe Ronald Araujo. I pari kritikoi të dytin se mori kartonin e kuq në fillim të ndeshjes dhe për këtë arsye ndikoi  negativisht në mbarëvajtjen e ndeshjes.

Nga ana e tij, mbrojtësi uruguajan u kufizua me një “no comment”, megjithatë duke bërë të qartë se deklarata mediatike e bashkëlojtarit gjerman nuk i pëlqeu aspak.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd