Transmetuar më 20-04-2024, 14:51

DURRËS- I mituri i zhdukur prej gati një jave është bashkuar me nënën e tij. Gjyshja e cila ishte në kërkim për rrëmbimin e tij e ka dorëzuar pak më herët në Porkurorinë e Durrësit.

Pas dorëzimit të Barie Gjunit, policia bën me dije se fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhet pranë nënës së tij. Gjithashtu bëhet me dije se para vetëdorëzimit policia ka kryer kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Durrës

Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.

Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.

Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Barie Gjuni, gjyshja e cila rreth 1 javë më parë rrëmbeu nipin dhe u zhduk, ka dorëzuar 3-vjeçarin ditën e sotme në Prokurorinë e Durrësit. I mituri është bashkuar me të emën e tij, e cila ishte ajo që ngriti alarmin për zhdukjen e fëmijës. Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij Arben Selaj, për rrembimin e 3-vjeçarit nga nëna e tij

Nëna e fëmijës bëri denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën. 58-vjeçari, është ndaluar nga policia por nuk ka treguar se ku ndodhet i mituri, ndërkohë që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik. Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.

Mësohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit si dhe frikë se mos nusja e tyre mund të largohej jashtë vendit. Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd