Transmetuar më 20-04-2024, 20:18

Policia e Tiranës ka shoqëruar dhe gjobitur shtetasin, i cili u filmua teksa tërhiqte zvarrë një qen me automjetin e tij. Fatmirësisht qeni është në gjendje të mirë.

Policia e Tiranës njoftoi sot se, “Komisariati i Policisë Rrugore dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, gjatë patrullimeve në terren, kanë konstatuar shtetasin Sh. I., duke tërhequr me makinë një kafshë shtëpiake (qen). Shtetasi Sh. I., është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, si dhe është gjobitur me 6.000 lekë sipas Kodit Rrugor, ndërsa kafsha shtëpiake iu dorëzua shërbimeve të specializuara të Bashkisë”.

“Videoja e këtij rasti është publikuar dhe në rrjete sociale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njofton Policia.

Siç edhe shihet nga video, qeni tashmë është qetësuar dhe ushqyer dhe ndodhet në gjendje të mirë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd