Transmetuar më 20-04-2024, 20:54

Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës organizoi në oborrin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja eventin “Dita e Gjuhës Kineze”, në kuadër të Ditës së Gjuhës Kineze të Kombeve të Bashkuara, me qëllim promovimin e gjuhës së folur dhe të shkruar kineze.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, deklaroi se përmes kulturës mund të njihen më mirë qytetërimet dhe ky aktivitet ndihmon për të njohur më mirë kulturën kineze.

“Shpresoj që të jeni jo vetëm dashamirës të kulturës kineze, por edhe misionarë të saj dhe që ky aktivitet të japë më shumë kontribut për miqësinë kino-shqiptare përmes gjuhës kineze”,- deklaroi ambasadorja Pang.

Zv.dekania për Marrëdhëniet me Jashtë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Drita Rira, deklaroi se gjuha kineze është një gjuhë e bukur dhe paraqitja e kulturave të huaja, si ajo kineze, është pika kyçe e këtij aktiviteti.

“Shpresoj që në aktivitetin e organizuar me Institutin Konfuci studentët të kenë mundësi të mësojnë më shumë për kulturën dhe gjuhën kineze”,- tha ajo.

Të pranishmit në këtë aktivitet shijuan çajin dhe gatimet tradicionale kineze. Gjithashtu, u shpërndanë edhe libra të gjuhës kineze nga Instituti Konfuci.

Ky është një aktivitet i përvitshëm që organizohet nga Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Kineze, ku këtë vit fokusi ishte te kultura dhe tradita kineze.

Të pranishëm në këtë event ishin edhe studentë nga Kina që mësojnë shqip në Universitetin e Tiranës, si dhe studentë të gjuhës kineze dhe dashamirës të gjuhës kineze.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd