Transmetuar më 22-04-2024, 09:09

Episodi i golit fantazmë në “El Clasico” mes Real Madridit dhe Barcelonës thekson edhe një herë mungesën e dukshme të teknologjisë së vijës së portës (goal line) në Spanjë. Xavi deklaroi pas disfatës së Barcelonës ndaj Real Madridit: "Me ndeshjen që luajtëm ishte gjëja më normale të fitonim. Duhet të jemi krenarë për mënyrën se si luajtëm, veçanërisht në pjesën e dytë. E kontrolluam mirë ndeshjen dhe e merituam marrjen e tri pikëve. Nuk ia dolëm për shkak të situatave që nuk i kontrollojmë. Është i njëjti film si faza e parë, që vendosi kampionatin”.

Çfarë ju rëndon më shumë, vendimet e arbitrave apo gabimet në mbrojtje?

Të gjithë e panë. Ata mund të më sanksionojnë, por imazhet janë atje. Unë mund të analizoj vetëm ndeshjen, ishim më mirë se Real Madridi. Na dëmtuan disa detaje, por kjo është pjesë e procesit të tranzicionit në të cilin jemi. Ne e merituam të fitonim.

Ter Stegen tha se është turp që teknologjia e vijës së portës nuk ekziston në La Liga…

Epo, jam plotësisht dakord me të. Është turp. Më pyetën për arbitrin dje dhe iu thashë se shpresoja që ai të kalonte pa u vënë re, të bënte gjërat e duhura. Epo, nuk ndodhi kështu dhe është turp. Nëse duam të jemi kampionati më i mirë në botë, duhet të zbatojmë teknologjinë e portës.

Çfarë keni në mendje tani?

Duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe të kapim vendin e dytë. Kam ndjenja të përziera. Jam krenar për ekipin, por ka pasur situata që nuk mund t’i kontrollonim. Ne ishim më të mirë se Real Madridi, tri pikët na ikën për shkak të rrethanave të pafavorshme.

Nëse ju kërkojnë të vazhdoni, a do ta rishikoni qëndrimin tuaj?

Nuk është koha. Më duhet të mendoj për ndeshjen e radhës. Kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje dhe shumë gjëra mund të ndodhin.

A mendoni se Real Madridi e meriton titullin?

Unë e përgëzoj, humbi vetëm një ndeshje, ka zhvilluar një kampionat të jashtëzakonshëm. Por ndjenja ime sonte është për një padrejtësi të madhe.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd