Transmetuar më 22-04-2024, 10:23

Pesë muaj nga vrasja e të riut shqiptar, Alonso Hysneli alias Reols Hysneli në Gjermani autoritetet kanë zbardhur ngjarjen, ndërsa nën hetim janë vënë dy shtetas turq, të cilët dyshohen si autorë të krimit.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 25 nëntor 2023 në Gjermani.

Sipas mediave turke, autoritetet gjermane kanë mundur të identifikojnë vrasësit e shqiptarit i cili u la në pyll pranë burimeve termale në qytetin Kaltenkirchen, 27 kilometra larg Hamburgut.

Ekzekutimi i tmerrshëm u zbulua nga një çift që po bënin një shëtitje në zonën pyjore ku ndodhen burimet termale. Çifti, i cili ka parë një person të shtrirë në tokë me një pjesë të madhe të trupit të mbështjellë me letër alumini, ka njoftuar menjëherë policinë. Pas njoftimit, në vendngjarje janë nisur shumë efektivë të policisë. Hetuesit kanë konstatuar se 27-vjeçari shqiptar, i cili nuk kishte asnjë mjet identifikimi me vete, është vrarë me armë zjarri në kokë. Policia konstatoi se i riu, i cili u ekzekutua me një plumb të vetëm, ishte mbështjellë me letër alumini pasi u vra për të mos lejuar përhapjen e gjakut përreth dhe më pas është transportuar në zonë me automjet.

Si rezultat i verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve, u zbulua se kufoma i përkiste Reols Hysnelit, shtetas shqiptar i burgosur për trafik droge në Lübeck në vitin 2023. Në vendngjarje u gjet një fletë shitjeje e letrës së aluminit me të cilën ishte mbështjellë shqiptari. Por pavarësisht kontrollit të rreth 100 policëve në tokë, arma nuk u gjet.

Ndërsa trupi i Hysnelit u dërgua në Morgun e Mjekësisë Ligjore për obduksion, dy ditë pas ngjarjes, shtetasi shqiptar Qerim D., 17 vjeç, i cili nuk fliste gjermanisht, shkoi në Komisariatin e Policisë Pinneberg me avokatin e tij dhe rrëfeu se kishte vrau një person.

Por fakti që 17-vjeçari Qerim D. heshti për detajet e krimit dhe se avokati i tij ishte i njëjtë me avokatin e İlber, Edmond dhe Ernest Domit, drejtuesit e grupit “Vëllezërit Domi”, i cili menaxhon një pjesë e trafikut të drogës në Gjermani, bëri që policia të thellojë hetimet.

Policia konstatoi se fatura e letrës së aluminit ishte blerë nga Ferhat K. dhe Selami C. dhe ndaj dy turqve u nis një hetim për vrasjen e trafikantit të drogës për shkak të një mosmarrëveshje droge.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd