Transmetuar më 22-04-2024, 11:39

Pas pesë sezonesh me kuqezinjtë, entuziazmi i mjedisit kuqezi ka mbaruar. Pioli është ‘në zjarr’, në fund të sezonit me shumë gjasa do të vijë lamtumira. Sidoqoftë, trajneri i titullit të fundit kuqezi e ka ende një objektiv.

"Fitorja e këtij derbi do të ishte shumë e rëndësishme, – tha trajneri i Milanit në konferencën për shtyp. – Skuadra nuk duhet të luajë për mua, por për klubin dhe tifozët. Pres paraqitje të një ekipi të vërtetë. Sonte ka rëndësi rezultati, jo Pioli. Milani im mund të japë ende shumë. Personalisht ndjej se mund t’i jap ende shumë këtij ekipi, por në fund të sezonit do të bëj vlerësimet e mia".

A duhet të dalë në pah në këtë derbi krenaria e kuqezinjve? Ja si përgjigjet Pioli: "Ne mund të përdorim të gjitha termat që duam: krenari, përgjegjësi, përkatësi. Për renditjen, eliminimin e së enjtes, për ta shtyrë titullin e Interit është një mundësi për shëlbim, për krenari. Si kanë qenë këto ditë pas Romës? Të mbushura me puna, sepse tani ka mbaruar dhe eliminimi ka ndodhur. Ne nuk ishim të kënaqur, u përpoqëm të fokusoheshim në atë që duhet bërë sonte".

Çfarë lloj derbi mund të jetë? "Një fitore në derbi do të ishte shumë e rëndësishme për gjithçka që thamë më lart. Le të mos flasim për mua, është folur shumë për këtë, prej një kohe të gjatë. Unë mendoj se kjo nuk i ka bërë askujt mirë, por jo mua, – nënvizon trajneri kuqezi. – Shumë kritika? Milani im mund të japë ende shumë. Nuk më interesojnë kritika. Ju gazetarët dhe tifozët mund të kritikoni dhe gjykoni, ka nga ata që e kanë bërë me më shumë respekt ose më pak respekt.

Çfarë mendoj për qëndrimin e ‘Curva’? Gjëja më e rëndësishme është që sonte do të ketë 70 mijë tifozë që mbështesin Milanin, pjesa tjetër më intereson pak. Nuk ka rëndësi Pioli, por çfarë do të bëjë Milani. Ne do të kemi nevojë për Milanin më të mirë të mundshëm. Një notë për sezonin? Nuk përgjigjem, në kuptimin që nuk jap asnjë notë. Vlerësimet do t’i bëj në fund të sezonit".

Si janë përgatitur kuqezinjtë për një ndeshje të tillë? E zbulon Pioli: "Si mund të mos përgatitemi mirë për një ndeshje kaq të rëndësishme nga pikëpamja mendore. Sa për zgjedhjet taktike, mendoj se mund të bëj gjithçka: të ndryshoj gjithçka, të konfirmoj gjithçka. Unë jam i hapur për çdo gjë.

A pres reagim nga lojtarët? Ekipi nuk duhet të luajë për mua, por për klubin dhe për tifozët. Pres një paraqitje nga një ekip i vërtetë. Ai që ka rëndësi është rezultati, jo Pioli. Ekipit i kam kërkuar të fitojë derbin. Ne vinim nga 7 fitore radhazi, pastaj erdhi eliminimi nga Liga e Europës. Milani im mund të japë ende shumë. Çfarë mund t’i jap unë më shumë këtij ekipi? Gjithmonë kam dhënë gjithçka dhe kam marrë shumë. Ndjej se mund të jap ende shumë për këtë ekip”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd