Transmetuar më 22-04-2024, 13:06

“Nuk kam ndërmend ta shes Milanin”. Në prag të derbit shumë të pritur, që mund t’i japë yllin e dytë Interit, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, dha një intervistë për "Il Sole 24 Ore".

Në të saktësoi dhe garantoi se do të mbetet në krye të kuqezinjve për një kohë të gjatë, duke puanur për rritjen sportive dhe ekonomike, gjithmonë duke synuar fitoret.

"A nuk jemi në krye të kampionatit? Jemi ende në vendin e dytë, – tha numri një i "RedBird", i cili sqaroi pozicionin e tij pas thashethemeve për një transferim të mundshëm të pronësisë:

– Qëllimi im është të ndërtoj një realitet solid dhe fitues. Soliditeti financiar dhe autonomia janë kushte të nevojshme për të fituar, për ta zhvilluar një klub futbolli në mënyrë të shëndetshme.

Milani ka marzhe të jashtëzakonshme për rritje sportive dhe përmirësim nga pikëpamja ekonomike. Pse duhet të heq dorë nga pronësia e Milanit? Nuk kam bisedime me asnjë investitor që mund të marrë kontrollin apo qeverisjen e këtij klubi.

Mendoj se do të qëndroj në pozicionin aktual për një kohë të gjatë. Do të doja t’i sqaroja faktet një herë e mirë: "RedBird" është aksioneri kontrollues i 99.93% të Milanit; 0.07% e aksioneve të mbetura zotërohet nga investitorë individualë italianë, që janë tifozë.

Unë i kam kërkuar gjithashtu New York Yankees që të investojë një pjesë të vogël të aksioneve së bashku me "RedBird" si pjesë e investimit tonë të përgjithshëm, duke pasur parasysh partneritetin e fortë 25-vjeçar që kam me ta".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd