Transmetuar më 24-04-2024, 16:10

Raiffeisen Invest prezanton për herë të parë në tregun shqiptar fondin me fokus në investime të qëndrueshme ESG, "Raiffeisen Solid".

Ky fond, i pari i llojit të tij i licencuar në Shqipëri padyshim shënon një moment të rëndësishëm, pasi është një reflektim i misionit të Raiffeisen Invest për të qenë pioniere në sjelljen e risive më të fundit si dhe për të integruar konceptin e qëndrueshmërisë në politikat e investimit në treg.

Fondi i Qëndrueshëm Raiffeisen Solid është i pari fond furnizues, që i jep mundësi investitorëve të krijojnë një portofol miks aksionesh dhe obligacionesh, të cilat janë përzgjedhur duke marrë parasysh kriteret mjedisore, shoqërore dhe qeverisëse (ESG). Investimet në këtë fond janë të kujdesshme dhe i nënshtrohen një vlerësimi të hollësishëm financiar dhe të qëndrueshmërisë.

Rreth 85% e portofolit të këtij fondi investohet në fondin kryesor ESG, nën administrimin e Raiffeisen Capital Management në Vjenë. Fondi Kryesor investon ekskluzivisht në tituj financiarë dhe/ose instrumente të tregut të parasë, emetuesit e të cilëve klasifikohen si të qëndrueshëm në bazë të kritereve shoqërore, ekologjike dhe etike.

Redaksia e noa.al ndoqi konferencën për media që u zhvillua sot në Tiranë për prezantimin e këtij fondi. Në të ishin të pranishëm përfaqësuesit e bordit drejtues të Raiffeisen Invest dhe Raiffeisen Bank, drejtoresha e autoritetit të mbikëqyrjes financiare znj. Mimoza Kaçi, etj.

CEO i Raiffeisen Bank z. Christian Canacaris theksoi: ““Ne lançojmë sot fondin e parë ESG duke shënuar një moment historik të rëndësishëm jo vetëm për Raiffeisen Invest Shqipëri, por për të gjithë peizazhin financiar në treg. Duke qenë lider i padyshimtë i tregut të fondeve të investimeve në Shqipëri me 5 fonde të prezantuara dhe mbi 90% të tregut është sigurisht një krenari dhe frymëzim ti drejtojmë klientët tashmë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme”

Edlira Konini, Administratore e përgjithshme e Raiffeisen Invest, tha se “Fondi Raiffeisen Solid është një fond në euro dhe do të ofrohet në treg nëpërmjet rrjetit të degëve të Raiffeisen Bank".

Fondi i ri, tha ajo, fton të gjithë ata individë apo kompani që duan të kontribuojnë nëpërmjet investimit të tyre në zhvillimin e qëndrueshëm, kanë një tolerancë mesatare ndaj riskut dhe janë të gatshëm të kenë një horizont investimi së paku 5 vjeçar, për të përfituar maksimalisht nga fondi”.

Në të gjithë Evropën, "investimet e qëndrueshme" po përjetojnë aktualisht një popullaritet të jashtëzakonshëm midis investitorëve. Vëllimi i investimeve të përgjegjshme po rritet vazhdimisht. Me Raiffeisen Solid, investitorët shqiptarë mund të kontribuojnë në këtë ndryshim pozitiv duke investuar në një fond që mbron vlerat e qëndrueshmërisë dhe përgjegjësinë shoqërore.

E pyetur nga noa.al nëse fondi i ri targeton më shumë biznesin apo individët, zonja Konini pohoi se 98 për qind e investuesve të deritanishëm janë individë.

Fondet e investimeve në Shqipëri kanë vite që janë të pranishme. Megjithatë ato nuk janë ende shumë të përhapura. Në këtë pikë  a duhet një edukim i mëtejshëm i qytetarëve për të marrë pjesë në këto fonde? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje të noa.al zonja Konini tha se Raiffeisen Invest që ajo drejton dhe Raiffeisen Bank Albania në tërësi, janë duke u fokusuar në informimin e individëve dhe bizneseve për t’u afruar në këto fonde dhe nga muaji më vazhdim edhe në fondin e qëndrueshëm Raiffeisen Solid. Ajo shtoi se një fushatë informimi do të vijojë dhe për këtë do të ketë bashkëpunim edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

Raiffeisen Invest administron katër fonde Investimi, Raiffeisen Prestigj dhe Vizion, fonde investimi në Lekë: Raiffeisen Miks dhe Raiffeisen Euro, fonde investimi në Euro si dhe një fond pensioni privat.

Më shumë informacion ju mund të gjeni këtu. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd