Transmetuar më 24-04-2024, 22:18

Lufta politike në kampin opozitar është përqendruar aktualisht mes kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit, kontrollon vetëm një pjesë të kësaj partie, pasi shumica janë në mbështetje të Sali Berishës që gjithashtu është kryetar i PD pas disa proceseve zgjedhore që nga 2022.

Pak orë pasi Ilir Meta e akuzoi Bashën se la vendin pa opozitë duke djegur mandatet, Lulzim Basha u kundërpërgjigj duke thënë se ajo që ndodhi ishte me bekimin e Metës që sipas tij ishte dhe përfituesi më i madh i asaj që ndodhi.

“Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve, njësoj si të tjerët. Disa të tjerë si Ilir Meta hedhin gurin e fshehin dorën, këtë bëri pas 21 Janarit pastaj shkoi u puth me Ramën në Shkodër.

Ilir Meta është përfituesi më i madh i pushtetit të Ramës, është faktori kryesor për ardhjen e Ramës në pushtet dhe mbajtjen e tij në pushtet në 2017, dhe me çmenduritë e tij në 2021 të malit me gropa.

Për ne Ilir Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik, por si kryetar i PD qëndrimi im është që me Ilir Metën dhe PL nuk ka për të pasur më asnjë marrëdhënie politike.

Ai është pazarxhi kronik i cili problemet nuk i ka më as me PD, por atje ku i ka, të përballet me problemet që ka”, thotë Basha. /noa.al

Meta: Lul Basha, i braktisur nga elektorati, la Shqipërinë pa opozitë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd