Transmetuar më 25-04-2024, 09:15

BRUKSEL- Ditën e sotme në Bruksel do të zhvillohen takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç pritet të takohen me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Në mbledhjen e fundit mes tyre, e cila u zhvillua më 18 prill, diskutimet përfunduan pa asnjë sukses.

Lajçak ka shprehur optimizëm për takimin e sotëm, duke pritur që të dyja palët të sjellin ide konkrete si bazë për diskutime të mëtejshme. Ai thekson rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje që do të shërbente në interesin më të mirë të qytetarëve të prekur nga këto vendime.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd