Transmetuar më 25-04-2024, 11:13

Mes protagonistëve të titullit të Interit është edhe personi që i ka dhënë formë skuadrës zikaltër jashtë fushës vitet e fundit, pikërisht Javier Zanetti. Zëvendëspresidenti i kampionëve të Italisë foli kështu për "Rai Sport", pas sigurimit të yllit të dytë (titullit të 20-të) ndaj Milanit:

"Djemtë na dhanë një emocion të jashtëzakonshëm, besoj se titulli është i merituar për mënyrën se si e kemi interpretuar çdo ndeshje. Edhe me Milanin po, fitorja ishte e qartë. Në një moment vështirësie skuadra mbeti e bashkuar, ditëm të vuanim. Ne donim ta fitonim titullin në një ndeshje derbi, ia dolëm, teksa tani miliona tifozë po festojnë.

Çfarë do të thotë ylli i dytë? Këta djem ndoshta nuk e kuptojnë se çfarë kanë bërë, sepse ylli i dytë do të mbetet i paharrueshëm. Ata shkruan një nga faqet më të rëndësishme në historinë e klubit. Falë tyre dhe stafit triumfuam, ishin të jashtëzakonshëm.

A mund të hapet një cikël në Itali dhe Evropë me Inzaghin? Po, vazhdimësia është shumë e rëndësishme. Ne jemi konkurrues prej 4-5 vitesh, vazhdojmë të fitojmë trofe. Jemi protagonistë në çdo garë, duhet të vazhdojmë kështu, ndoshta duke shtuar disa lojtarë që mund të jenë funksionalë në projekt. Gjithmonë përpiqemi për të bërë zgjedhje që mund të kontribuojnë në këto suksese.

Përparimi i pandalshëm i Lautaros? Jam shumë i lumtur për të, e prisnim këtë rritje. Ai është një kampion i vendosur, një lider brenda dhe jashtë fushës. Është i pari që ka treguar rrugën përpara, është rritur shumë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd