Transmetuar më 26-04-2024, 08:00

Xavi Hernández dha arsyet e para për "ndryshimin e kursit" në vendimin e tij, që e njoftoi në janar. Asokohe tha se do të largohej në fund të këtij sezoni, ndërsa sot, përkrah presidentit Joan Laporta, konfirmoi se do të vazhdojë në pozicionin që mban edhe sezonin e ardhshëm, si trajner i Barcelonës:

“Po vazhdoj sepse konstatova besimin e të gjithëve, të presidentit, të bordit drejtues, të Deco, të Rafa (Yuste), të gjithë futbollistëve. Qëndrimi në stolin e Barcelonës nuk vjen për shkak të parave apo egos, por për shkak të besimit të të gjithëve në një projekt fitues.

Nëse dikush më lidh me paratë e vitit të mbetur të kontratës, e bën për të më lënduar. Mos harroni që, nëse nuk do të vazhdoja, paratë e kontratës sime do të shkonin për trajnerin e ri. Kësisoji është krejtësisht e padrejtë kjo që thuhet".

Presidenti i Barçës, Joan Laporta, mori fjalën për të mbështetur deklaratën e trajnerit. "Më lejoni të ratifikoj fjalët e Xavit. Kjo e nderon atë, është provë e mëtejshme e adhurimit të tij për Barcelonën. Ai na tha: Nëse largohem, do të heq dorë nga kontrata ime e mbetur 1-vjeçare. Nuk ishte çështje parash, të gjithë tifozët e Barcelonës e kanë mbështetur punën e bërë deri tani”.

Xavi renditi argumentet e tij për vazhdimin si trajner blaugrana. "Unë jam shumë fanatik i Barcelonës, e dini. Jam njeri i klubit dhe gjëja më e rëndësishme është të mendoj për këto ngjyra të zemrës. Dje bisedova me presidentin, u hapa për gjithçka si njeri i klubit. Pashë besimin shumë të madh të presidentit, Rafa Yuste, Deco, Bojan dhe gjithë bordit. Edhe lojtarët më kanë shtyrë të vazhdoj, sepse të gjithë besojnë te projekti i nisur”.

Xavi pranoi se sezoni nuk ka shkuar ashtu siç pritej: “Me siguri nuk është mirë që nuk do të fitojmë asnjë titull, por e shoh me optimizëm të ardhmen e klubit. Në dy-tri minuta diskutim me presidentin pamë se ky ishte vendimi më i mirë, të vazhdojmë së bashku”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd