Transmetuar më 26-04-2024, 00:59

Parlamenti shqiptar po shqyrton disa pika të reformës zgjedhore, një prej të cilave është ajo e votimit të detyrueshëm.

Nisma vjen nga opozita dhe parashikon sanksione nëse zgjedhësit nuk hedhin votën.

Ndryshimi kërkohet të bëhet në kodin zgjedhor aktual me qëllim që të bëhet efektiv në zgjedhjet e pritshme të prillit 2025, raporton noa.al.

Nisma e opozitës vjen në përpjekje që të detyrojë edhe qytetarët që i përkasin të ashtuquajturit elektorat gri, që të paraqiten në qendrat e votimit.

Nisma nuk përfill faktin se shumë njerëz mund të jenë të zhgënjyer nga palët politike e megjithatë, kërkohet që ata të sillen me detyrim në qendrat e votimit, përmes detyrimit ligjor për të marrë pjesë në zgjedhje.

E gjitha kjo vjen si përpjekje që të ketë pjesëmarrje masive në zgjedhje. Por ajo që habit është fakti se asgjë nuk është bërë prej 34 vjetësh për votën e emigrantëve të cilët nuk votojnë dot aty ku jetojnë, praktikë që zbatohet kudo përveç shqiptarëve.

Në gjithë botën 21 shtete e janë të detyrueshëm votimin, pjesërisht aplikohet vetëm në 10 prej tyre.

Votimi në vende si Belgjikë, Greqi, Meksikë dhe Turqi është prej vitesh i detyrueshëm, por nuk zbatohet.

Shumica e qeverive demokratike e konsiderojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet kombëtare si të drejtë qytetare.

Disa konsiderojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është edhe përgjegjësi qytetare e qytetarëve. Disa vende shkojnë aq larg sa të vendosin sanksione ndaj jovotuesve.

Votimi i detyrueshëm nuk është një koncept i ri. Disa nga vendet e para që futën ligjet e votimit të detyrueshëm ishin Belgjika në 1892, Argjentina në 1914 dhe Australia në 1924. Ka edhe shembuj të vendeve si Venezuela dhe Holanda të cilat në një kohë në historinë e tyre praktikuan votën e detyrueshme, por që më pas e kanë hequr atë.

Argumenti kryesor kundër votimit të detyrueshëm është se ai nuk është në përputhje me lirinë e lidhur me demokracinë. Votimi nuk është një detyrim i brendshëm dhe zbatimi i një ligji të tillë do të ishte cenim i lirisë së qytetarëve të lidhur me zgjedhjet demokratike.

Po ashtu mund të dekurajojë edukimin politik të elektoratit sepse njerëzit e detyruar të marrin pjesë do të reagojnë në mënyra aspak efektive për rezultatin e palëve, deri duke i bërë votat të pavlefshme.

Është vërtetuar se detyrimi i popullatës për të votuar rezulton në një numër më të madh të votave të pavlefshme dhe të zbrazëta në krahasim me vendet që nuk kanë ligje votimi të detyrueshëm.

Një tjetër pasojë e votimit të detyrueshëm është numri i mundshëm i lartë i “votave të rastësishme”. Votuesit të cilët votojnë kundër vullnetit të tyre të lirë mund të zgjedhin një kandidat në mënyrë të rastësishme, veçanërisht kandidatin kryesor apo që ka pozicion qendror në fletëvotim. Votuesit nuk i intereson se për kë do të votojnë për sa kohë që qeveria është e kënaqur që ata e kanë përmbushur detyrën e tyre qytetare.

Lind pyetja, çfarë efekti ka kjo kategori e pamatshme e votave të rastësishme në legjitimitetin e një qeverie dhe a mund të rezultojë ajo më pas se është zgjedhur në mënyrë demokratike? /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd