Transmetuar më 26-04-2024, 13:37

Me përfundimin e derbit, është koha që Milani të kthehet nesër në fushë, në ndeshjen shumë delikate të “Allianz Stadium” kundër Juventusit (ora 18:00). Në konferencën për shtyp, trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, e ka analizuar kështu këtë moment:

"Çfarë kuptimi kanë këto ndeshjet e fundit? Ne duam të tregojmë se kush jemi, se jemi Milani. Çfarë na duhet nesër? Do duhet të luftojmë, të japim gjithçka, sikur të ishte ndeshja e fundit. Kërkoj nga skuadra të jetë e përqendruar, të vendosur, duam të mbrojmë vendin e dytë.

Çfarë ditësh ishin pas derbit? Nuk mund të ndalemi në zhgënjimet e fundit, duhet të kemi detyrimisht dëshirën dhe krenarinë për të kërkuar shpagim. Të qëndrojmë të bashkuar dhe të luftojmë deri në fund. Ne jemi profesionistë, vuajmë nga kjo situatë, por e kemi për detyrë të ngrihemi dhe të kemi shpatulla të gjera.

Ne kemi dhënë gjithçka, por jo gjithmonë kemi arritur të demonstrojmë cilësitë tona më të mira në fushë. Interi ka qenë skuadra më e fortë në kampionat për 4 vite, por ka fituar vetëm dy kampionate. Ne nuk kemi qenë kurrë skuadra më e fortë në kampionat, por u përpoqëm të luftonim për vendet e para.

A kanë qenë 10 ditët e fundit më të vështirat e menaxhimit tim te Milani? Në këto thuajse pesë vite kam pasur momente shumë negative, si ky. Është më i afërti, prandaj për mua është edhe më i dhimbshmi.

Do të jepja gjithçka që kam për t’i ndryshuar rezultatet e derbit, por nuk mund të bëhet. E di që është pjesë e punës sime, po e vuaj si të gjithë kuqezinjtë. Ishte një dhimbje e madhe për të gjithë, ajo që na mbetet në dorë është të reagojmë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd