Transmetuar më 27-04-2024, 08:08

U deshën 120 vite pritje për ta parë Bayer Leverkusen të pushtonte "Meisterschale". Pas një pritje të përjetshme, skuadra në fjalë e Bundesligës ia doli ta fitonte titullin kampion. Meritë e trajnerit Xabi Alonso, gjithnjë e më i "blinduar" në krye të klubit, pas thashethemeve të shumta të transferimeve që e kishin shqetësuar muajt e fundit.

Natyrshëm lind pyetja: kush do të "vinte bast" për të, një trajner i ri dhe me pak përvojë, se do të ishte në gjendje të drejtonte një klub, i cili për vite me radhë tallej me nofkën "Neverkusen", drejt fitimit të titullit të parë në historinë e vet shekullore?

Një emër mbi të gjithë; José Mourinho, i cili e ka trajnuar te Real Madrid nga viti 2011 deri më 2013. Duke i dëgjuar pesë vjet më vonë, fjalët e Mourinhos thuajse tingëllojnë si një profeci.

"Pozicioni i tij në fushë dhe njohuritë për lojën janë të shkëlqyera, – deklaroi portugezi pesë vite më parë, gjatë një interviste, duke folur për ish-lojtarin e tij.

– Ai luajti në Spanjë, Angli dhe Gjermani, u drejtua nga Guardiola te Bayerni, nga unë dhe Ancelotti te Real Madridi, nga Benitez te Liverpool. Duke marrë parasysh karrierën e tij, mendoj se Xabi Alonso ka cilësitë për të qenë një trajner i shkëlqyer".

Ishte viti 2019 dhe ish-mesfushori spanjoll drejtonte Real Sociedad B, pasi kishte kaluar vetëm një sezon në stolin e të rinjve të Real Madridit. Një tjetër bast i fituar nga "Special One".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd