Transmetuar më 26-04-2024, 14:22

Mbrëmë u konfirmua largimi i trajnerit Qatip Osmani dhe stafit të tij nga drejtimi i Vllaznisë. Kjo ishte masa e marrë nga klubi kuqeblu, pas eliminimit në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias.

Një vendim i papritur, në fakt, por që duket i “gatuar” më herët, nën rrogoz, sepse sot është mësuar pasuesi në stolin kuqeblu. Në fakt, trajneri i ri është një njohje e Vllaznisë, sepse e ka drejtuar atë më parë, madje e ka shpallur fituese të Kupës së Shqipërisë.

Po flasim për kroato-gjermanin Thomas Brdaric. 49-vjeçari do të nisë aventurën e dytë si trajneri i kuqebluve, teksa i drejtoi këto të fundit në periudhën gusht 2020-mars 2022. Ish-sulmuesi i kombëtares së Gjermanisë fitoi një Kupë Shqipërie me shkodranët, teksa iu afrua shumë edhe titullit kampion (e mbylli me pikë të barabarta me Teutën, por golaverazhi më i dobët e penalizoi).

Në stafin e tij do të jetë edhe Matko Djarmati. Edhe 42-vjeçari kroat ka qenë më parë në drejtimin e Vllaznisë, si drejtor sportiv, pikërisht në periudhën e Brdaric si trajner. Ish-lojtari i Skënderbeut, Besës, Dinamos, Kastriotit dhe Tërbunit pritet të jetë ndihmësi i Brdaric në këtë aventurë të dytë, edhe për faktin se do ta përkthejë gjermanin nga anglishtja dhe kroatishtja. Djarmati e flet mjaft mirë shqipen, edhe dy gjuhët që zotëron trajneri i ri i kuqebluve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd