Transmetuar më 26-04-2024, 21:34

TIRANË- Eri Koshaj, drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, që u plagos nga bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj, ka rrëfyer përpara efektivëve të policisë se Andri Ibrahimaj e ka goditur me thikë në trup. Sipas gazetares Klodiana Lala, ai ka shtuar se kishte konflikte të hershme me Ibrahimajn pasi ky i fundit i kërkonte të dorëhiqej nga detyra e drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

Pas marrjes së denoncimit prej tij, policia është vënë në ndjekje të Andi Ibrahimajt i cili nuk është gjetur në banesë, pasi ishte larguar jashtë Shqipërisë. Disa ditë më vonë, është bërë i mundur shoqërimi i tij, por Prokuroria ka kërkuar nga policia që Ibrahimaj të hetohej në gjendje të lire.

Kur ndodhi ngjarja?

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tefta Pashko”, pranë “Pazarit të Ri” në kryeqytet, në orët e mbrëmjes së datës 21 nëntor të vitit të kaluar. Andri Ibrahimaj i kishte zënë “pritë” Koshajt dhe pas përplasjes verbale, ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar në pjesën e shpinës, siç thuhet edhe në raportin mjekoligjor. Sipas dosjes së publikuar në media, Andri Ibrahimaj donte të dorëhiqej Koshaj në mënyrë që në vendin e tij të vendosej një miku i vet. Në një reagim për ngjarjen, Brahimaj konfirmon që kjo gjë ka ndodhur por shton se nuk ka lidhje me funksionin e saj si Ministre dhe se nuk ka ndodhur në zyra shtetërore. Ajo gjithashtu thekson se i vetmi ndikim që ka pasur, ka qenë që ka mundësuar që bashkëshorti i saj të mos e kallëzonte Koshajn dhe se ky i fundit nuk është shkarkuar nga detyra pas konfliktit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd