Transmetuar më 28-04-2024, 16:05

Arrest me burg ka caktuar Gjykata e Posaçme për Dritan Stokën, specialistin e Kadastrës të arrestuar një ditë më parë, ndërsa ka lehtësuar masën e sigurisë për tre të arrestuarit e tjerë, duke i lënë arrest shtëpie ose detyrim paraqitjeje.

Konkretisht, Gjykata e Posaçme liroi nga qelia kryeplakun e lagjes se re në Sauk Agim Osmanin, ndaj të cilit u caktua masa e “Arrestit të shtëpisë”. Alqi Hajdini ish-jurist i Kadastres, dhe sekseri Ylli Baruti do të hetohen me masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Dritan Stoka dhe Agim Osmani dyshohen për të njëjtat vepra penale.

SPAK i akuzon ata, se kanë kryer në bashkëpunim veprën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

Dritan Stoka, i rritur jetim, njihet gjerësisht nga publiku sportdashës për analizat e tij sportive dhe sidomos për tifon e zjarrtë që ai bën për ekipin e Partizanit.

Sipas SPAK, Stoka dhe bashkëpunëtorët e tij u premtonin qytetarëve, kryesisht të zonës së Saukut, legalizim të banesave në këmbim të votave për Partinë Socialiste.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd