Transmetuar më 04-05-2024, 13:50

Kuvendi i Serbisë zgjodhi të enjten Qeverinë e re të vendit pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga opozita. Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj.

Përbërja e Qeverisë së re u kritikua paraprakisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pasi pjesë e saj janë dy zyrtarë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. Qeveria e re do të betohet tani dhe pastaj do ta fillojë mandatin e ri katërvjeçar.

Mirëpo, Bashkimin Europian duket se nuk po e shqetësojnë dhe aq shumë të sanksionuarit që janë pjesë e qeverisë së re të Serbisë. Shefi i diplomacisë së jashtme, Josep Borrell, në reagimin e parë, tha se mezi pret që të punojë me qeverinë e re të Beogradit.

“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriç dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X.

Por nënvizoi se përputhja me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Mirpo në qeverinë e re të Serbisë, janë dy të sanksionuar nga Amerika, përfshirë këtu dhe Aleksandër Vulin, një politikan shumë i afërt me Rusinë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd