Transmetuar më 04-05-2024, 14:03

E freskët nga humbja ndaj Bayer Leverkusen në Ligën e Europës, skuadra verdhekuqe thirret ta ngrejë kokën menjëherë në Serie A. Një tjetër gabim kundër Juventusit është i ndaluar, aq më tepër në këtë përplasje direkte për kualifikim në Champions League. Atalanta, me një ndeshje më pak, është 2 pikë larg (mbetet të luhet sfida e drejtpërdrejtë të dielën e 12 majit). Objektivi është mbrojtja e vendit të pestë, këtë e di mirë edhe De Rossi, i cili në prag të ndeshjes kundër “Zonjës së Vjetër” ishte i qartë në konferencën për shtyp.

Si do të silleni me Juventusin dhe gjithashtu kolegun tuaj Allegri? Me shumë respekt, Allegri bëri historinë e futbollit italian. E ndjek me simpati, ka luajtur me babain tim dhe ky i fundit më flet për të. Juve ka pasur një periudhë jo pozitive për sa iu përket rezultateve, duke alternuar ndeshje pak a shumë të mira. Bardhezinjtë duan të sigurojnë sa më shpejt zonën Champions, edhe ne jemi të bindur se mund ta bëjmë këtë.

Si është Dybala? Për të do të jetë një ndeshje e veçantë… Nesër në mëngjes do të marrim pak kohë për të bërë një kontroll të imët të situatës dhe të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë saktësisht. Do ta ruaj konfidencialitetin edhe me ta. Paolo po bën shumë mirë, me të vërtetë po më befason nga pikëpamja fizike.

Pas të enjtes, i gjithë përqendrimi juaj do të jetë te kampionati? Me Leverkusen, kthimi do të jetë më i vështirë, por ne mund ta përsëritim atë që bëmë (fituan 3-0) kundër Liverpool-it në “Anfield”. Në ndeshjen e kthimit, duke shënuar gol në gjysmën e parë të ndeshjes, mund ta kthejmë situatën. Për tifozët tanë është një ëndërr. Të mos heqim dorë nga asnjë objektiv.

A mendoni se keni marrë një leksion futbolli nga Leverkusen? Lexova për një mësim që i dhashë Piolit dhe përkundrazi ishte një ndeshje e ekuilibruar. E njëjta gjë me De Zerbi kundër Brighton. Nuk e lavdëroj veten kur shoh që ndeshjet janë realisht të balancuara. Rezultati, megjithatë, orienton dhe shpesh errëson lojën. Në konferencën për shtyp në Milano kuptova se si donin ta masakronin Piolin. Fatkeqësisht, jo të gjithë, pa ofenduar askënd, i kanë njohuritë për ta analizuar mirë atë që ndodh në fushë. Leverkusen është i fortë, ka një trajner të rëndësishëm, por në gjysmën e parë luajtëm më mirë. Ne u përpoqëm të shënonim deri në fund, jam krenar për atë që bëmë. Ndoshta duhet të kishim mbajtur më shumë rregull taktik. Disa nga lojtarët tanë janë të domosdoshëm tani për shkak të mënyrës se si është ndërtuar skuadra. Ne kemi pak lojtarë të shpejtë që kërcejnë mbi kundërshtarin. Kjo është arsyeja pse e lashë Dybala të luante për aq kohë sa kishte freski në këmbë. Nuk është çështje rezervash, disa duhet të luajnë gjithmonë. Sigurisht, ndonjëherë ndoshta insistoj shumë dhe në fund të sezonit do të shohim nëse kisha të drejtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd