Transmetuar më 04-05-2024, 14:33

Ndeshje vendimtare për Juventusin, i cili në rast fitoreje në “Olimpico” ndaj Romës, të dielën në mbrëmje, do të kualifikohej matematikisht në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Nuk do të jetë e lehtë të mposhten verdhekuqtë kryeqytetas, të cilët janë të freskët nga disfata në shtëpi, në Ligën e Evropës, ndaj Bayer Leverkusenit, pak ditë më parë. Gjithashtu, sepse Juventusi larg Torinos nuk ka fituar asnjë ndeshje që nga transferta ndaj Lecce më 21 janar.

Massimiliano Allegri, në konferencën për shtyp, nënvizoi se Roma është e zemëruar nga disfata e mesjavës ndaj Leverkusenit, ndaj do të dëshirojë të luajë një ndeshje të madhe:

Alex Sandro dhe Kenan Yildiz nuk do të jenë gati, pasi kanë gastroenterit. McKennie po luan më pak? Këto janë momente në të cilat trajneri duhet të bëjë zgjedhje. Është e trishtueshme të mos e kemi Yildiz nesër, por Kean është mirë. Milik, pas golit të tij në Kupën e Italisë, është gjithashtu mirë. Cambiaso është një lojtar inteligjent dhe tani të gjithë kemi nevojë për të.

E falënderoj kolegun De Rossi për fjalët e mira në adresën time, ndër të tjera kam luajtur me babanë e tij në Livorno. Që kur ka qenë te Roma, ka treguar zgjuarsi taktike. Është një trajner i ri, që sapo e ka nisur rrugëtimin. Mendoj se mund të ketë një karrierë të mirë. Roma është e zemëruar dhe do të dëshirojë të luajë një ndeshje të shkëlqyer ndaj nesh.

Sa juventin ndihem? Unë jetoj në Torino prej 10 vitesh tani dhe kam pasur fatin të jem pjesë e kësaj familjeje dhe klubi të madh. ADN-ja e çdo klubi duhet respektuar gjithmonë.

Si e kam parë Vlahovic këtë javë? Unë fola me të, ashtu siç fola me të gjithë. Për më tepër, e pashë mirë gjatë javës, si të gjithë sulmuesit. Kur shënon në ndeshjet e kontrollit brenda grupit është një shenjë e mirë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd