Transmetuar më 04-05-2024, 19:35

SHKODER – 10 gola u shënuan në javën e 34-t të kampionatit Abissnet Superiore. Fitore regjistruan Vllaznia dhe Partizani, që falë sukseseve të sotme siguruan zyrtarisht “Final 4”. Fitore arritën edhe Laçi dhe Teuta, ndërkohë që u mbyll në barazim 3-3 Erzeni-Kukësi. Rezultat që solli rënien e skuadrës nga Shijaku në Kategorinë e Parë.

Skuadra shkodrane fitoi 1-0 përballë Dinamo Cityt, duel që u vendos nga goli në shtesë i talentit 18-vjeçar Kevin Dodaj. Ndërkohë, “Demat” iu falën golit të vonë të Alfred Mensah për të thyer me të njëjtin rezultat Skënderbeun. Tri pikët edhe për Teutën, që triumfoi po 1-0 përballë Egnatias kryesuese. Artan Jazxhi realizoi golin e fitores për skuadrën durrsake.

Feston edhe Laçi, që mposhti 1-0 Tiranën. Indrit Prodani realizoi golin e fitores për bardhezinjtë e Armando Cungut. Barazim 3-3 mes Erzenit dhe Kukësit, me shijakasit që sezonin e ardhshëm do të garojnë në Kategorinë e Parë.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur dy javë, që do të prodhojnë garë të fortë për kreun, vendin e dytë, skuadrën e katërt që siguron “Final 4” dhe ekipin që do të luajë në “play-out”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd