Transmetuar më 06-05-2024, 22:20

"Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se Erdgys Arrazi si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur"

Shkodër, 6 Maj 2024 /noa.al- Prokuroria në Shkodër, tha sot zyrtarisht se për hedhjen nga ura e Bunës të Alma Arrazit me tre fëmijët, Ergesa 9 vjeçe, Gresi 8 vjeçe dhe Arditi 3 vjeç, sheh si fajtor burrin e të zhdukurës, Erdgys Arrazi. Sipas Prokurorisë, gruaja u hodh bashkë me fëmijët pasi iu cenua dinjiteti nga dhuna dhe tradhtia bashkëshortore e të shoqit.

Në një informacion që noa.al jua sjell më plotë të poshtë, thuhet se kjo prokurori, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, ka referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të Erdgys Arrazit

Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 3 maj 2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, Erdgys Arrazi, i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.

Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 2 maj 2024, pasdite, Alma Arrazi me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër.

Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku Alma i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do të shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej.

Më pas është ndarë nga kunata, ku Alma bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.

Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që Alma del me kunatën e saj.

Më pas, duket Alma së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perëndimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore.

Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 2 maj 2024. Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e Alma Arrazi, 39 vjeçe, Ergesa e datëlindjes 20.10.2015, Gresi e datëlindjes 17.09.2015 dhe Arditi i datëlindjes 27.03.2021.

Rezulton se dy ditë pasi u pa në urë, në datën 4 maj 2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se është gjetur trupi i pajetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njesia Administrative Dajç, identifikuar si Ergesa Arrazi datëlindjes 20.10.2015.

Është bërë kqyrja e kufomës së vajzës E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga këqyrja e jashtme nuk janë konstatuar shenja dhune.

Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për të miturën E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll në banesën e Erdgys Arrazit, ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme.

Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se Erdgys Arrazi si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur.

Në këto kushte është kryer ndalimi i Erdgysit si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të Almës dhe fëmijëve të mitur.

Po ashtu po vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale. /noa.al

E PLOTË | PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM SHKODËR

NJOFTIM PËR MEDIAT

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 511/2024, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.A.

Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, shtetasi E.A., i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij A.A., bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur. Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja A.A. me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja A.A. i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja A.A. bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.

Janë administruar pamje filmike të marra nga lokali në lagjen “Iliria”, Shkodër, ku dallohet momenti që shtetasja A.A. del me kunatën e saj. Më pas, duket shtetasja A.A. së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perendimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024.

Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve A.A. e datëlindjes 15.11.1985, E.A. e datëlindjes 20.10.2015, G.A e datëlindjes 17.09.2015 dhe A.A. i datëlindjes 27.03.2021. Rezulton se në datën 04:05.2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se ështe gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njesia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015. Është bërë kqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë kosntatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme.

Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi E.A., si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.

Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit E.A., si i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të shtetases A.A. dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd