Transmetuar më 07-05-2024, 13:58

Dinamo vazhdon ende betejën për “final four”. Për momentin është jashtë kësaj zone, katërshes së parë të renditjes, e cila do të luajë pas 36 javëve kampionat njëlloj “play off”-i për të shpallur ekipin kampion, me pikët të zeruara.

Megjithatë, dy javët e mbetura i japin shpresë matematikore. Si fillim duhet mposhtur Egnatia e vendit të parë në sfidën e nesërme. Duke folur para gazetarëve, trajneri i “nëndetëses”, Dritan Mehmeti, u shpreh:

“Normalisht dihen vlerat e Egnatias, është me meritë aty ku është. Kemi vlerësimin maksimal për të, është një ndeshje mjaft e vështirë për të dyja skuadrat. Ata kanë objektivin që ta mbyllin të parët.

Jemi stërvitur mirë këto dy ditë, Tahiri ka një problem me kaviljen dhe nuk do të jetë i gatshëm. Edhe Smaçi nuk do të jetë nesër, por shpresoj të jetë me Teutën javën tjetër. Mendoj që do të jetë një ndeshje e luftuar, besoj te skuadra ime, pavarësisht rezultateve që kemi marrë javët e fundit.

E kemi forcën, por duhet të jemi më të kujdesshëm në shfrytëzimin e mundësive. Po nuk shënove, nuk mund të arrish të shkosh drejt fitores. Unë mendoj që, përderisa një trajner arrin të shkelë zonën e kuqe, ne kemi pasur 6 raste të mira për të realizuar, mbetet e gjitha te qetësia dhe mënyra se si futbollistët realizojnë golin.

Presioni është gjatë gjithë kohës, është vetë kampionati i tillë, pasi të gjitha skuadrat duan pikët dhe të arrijnë objektivin. Ne kemi dominuar skuadra si Vllaznia dhe Egnatia, por nuk kemi marrë pikët. Djemtë e kanë bërë mirë detyrën, por thjesht duhet të jenë të kujdesshëm në rastet që krijojnë.

Lodhja nuk është ndjerë te skuadra e Dinamos, nuk është kjo arsyeja që ne nuk po fitojmë. Unë iu kam dhënë minuta të gjithëve, nuk është problemi te freskimi i formacionit, por çedon te momenti i fundit për ta çuar topin në rrjetë.

Duhet patjetër që nesër të fitojmë, është ndeshje me mjaft tension, shpresoj që çunat të jenë në ekuilibër dhe mos e ndiejnë presionin. Nuk mund të parashikosh në futboll, besoj që skuadra është përgatitur për të marrë maksimumin. Të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e vet, të gjitha skuadrat luftojnë, ato që do t’i menaxhojnë më mirë ndeshjet do t’ia dalin. Gjithçka është e hapur”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd