Transmetuar më 07-05-2024, 19:05

Babai i Alma Arrazit kërkon që trupin e të bijës ta varrosë në Durrës, pranë nënës së saj, dhe jo në Shkodër. Në Shkodër do të prehen fëmijët e saj. Në një intervistë për Top Channel, babai i Almës së ndjerë tha se ajo nuk ka vend atje sepse nuk ka njeri në Shkodër.

“Unë do këmbëngul deri në fund që vajzën time, se dëgjova dhe deklaratën e kunatit të Almës që tha se kemi bërë katër arkivole, fëmijët e vet t’i mbajnë, ndërsa vajzën do e marr dhe do e varros në Durrës afër nënës së saj. Ajo s’ka njeri në Shkodër, se një burrë pati. Nuk dua ta dëgjoj më atë fjalë Shkodër, se ajo Shkodër i hëngri kokën vajzës time. I lutem shtetit që me këtë hall që kemi ne, dua që të na ndihmojnë që ta sjellim fëmijën këtu e ta varrosim në Durrës”, tha ai.

Ai shtoi se ishte munduar si prind për të bërë më të mirën dhe se i kishte thënë asaj që të ndahej nga bashkëshortin.

“Unë jam munduar, si prind, për të bërë më të mirën. I jam lutur fëmijës tim, i kam thënë që ta lejë atë burrë sepse jeta ‘juaj ka marr fund’. Me zor nuk rrihet. Të thotë nuk të dua. Ik je e lirë. Martohu që nesër. Çfarë pret më? Fëmijët nuk i le dot’ më thoshte. Pastaj ka marrë këtë vendim që ka flijuar jetën e vet dhe të tre fëmijëve”, tha babai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd