Transmetuar më 07-05-2024, 21:15

Është shuar të shtunën e 4 majit, në moshën 42-vjeçare, mësuesja Klara Shestani, shumë aktive në famullinë e Poviglio, me bashkëshortin Paolo Capece por edhe në Qendrën e Misionarëve.

Ajo ishte mësuese e shkollës së mesme në Guastalla. Klara lë pas 3 fëmijë, një vajzë 5 vjeç dhe dy djem 15 dhe 17 vjeç.

Sipas mediave italiane, të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë ngjarjes, Klara kishte mësuar për sëmundjen e saj para Pashkëve dhe nga 1 prilli, ajo ka qenë e detyruar të mungojë.

“Ishte një person i matur, i jashtëzakonshëm për kompetencat dhe humanizmin”, e kanë kujtuar atë kolegët italianë.

Klara ishte një besimtare e devotshme dhe ka ndihmuar vazhdimisht famullinë e Poviglio në Itali. Ajo angazhohej edhe pas shkollës për t’i mësuar italisht të huajve.

“Ishte një pikë referimi e çmuar për Qendrën e Misionarëve. Ajo u mësonte elemente të gjuhës dhe kulturës shqiptare murgeshave dhe laikëve që do të udhëtonin për në vendin e saj të origjinës”, Kujton Andrea Bonati. “Edhe kohët e fundit, kishte mikpritur në shtëpinë e saj një murgeshë që po përgatitej të nisej”, shton don Alberto Nicelli.

Me origjinë nga Shkodra, Klara kishte studiuar letërsi në Universitetin e Gracit në Austri. Ajo kishte punuar edhe në shkolla të tjera, mes të cilave edhe atë në Gattatico.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd